BIGtheme.net http://bigtheme.net/ecommerce/opencart OpenCart Templates
Home / Uncategorized / TV-Dielli, katër muaj në pritje të një platforme për fillim të transmetimit të programit

TV-Dielli, katër muaj në pritje të një platforme për fillim të transmetimit të programit

TV-Dielli, është medium elektronik, që synon ta vërë në funksion një program të veçantë informativ, kulturor, edukativ me përmasa mbarëkombëtare, me sinjal satelitor, që pretendon ta mbulojë hapësirën shqiptare, si dhe mërgatën kudo në botë.

Ky medium elektronik  do t’ iu ofrojë bashkëkombësve një program alternativ,  nga programet aktuale dhe mbështetjen kryesore për hulumtim dhe sajim të programeve do ta ketë në kulturën, traditën, trashëgiminë afirmative shqiptare, historinë dhe të gjitha segmentet e jetës kombëtare, me qëllim që t’i japë një kontribut  unifikimit të faktorit shqiptar, si në aspektin informativ, ashtu edhe në segmentin e afirmimit të kulturës dhe traditës autentike  kombëtare.

Prania e një mediumi mbarëkombëtar,  me një përmbajtje të tillë specifike ka për qëllim të japë kontribut në integrimin kulturor brendashqiptar në kushte dhe rrethana, në të cilat kombi vazhdon të jetë i ndarë në pesë shtete.

Me vetë orientimin programor, ky medium elektronik ndërton skemë  larg ndikimit të grupeve politike, apo klaneve të caktuara të interesit.

Synimi primar dhe përfundimtar i konceptit të këtij televizioni do të jetë kultivimi i përmbajtjeve afirmative kombëtare, duke u mbështetur në sinkroninë dhe diakroninë e zhvillimit të kulturës dhe traditave specifike shqiptare, e cila paraqet një vlerë të veçantë afirmative, në mesin e kulturave botërore.

TV-Dielli Synon që heterogjenitetin e tashëm kulturor, informativ e shoqëror ta homogjenizojmë mbi parime të ndërgjegjësimit për integrim kulturor e shoqëror brendashqiptar, jo me qëllim të izolimit dhe mbetjes peng prej traditave të së kaluarës, por duke u shërbyer me traditën afirmative të vlerave e specifikave kombëtare, synon ta demonstrojë para shqiptarëve dhe para botës kulturën e tolerancës njerëzore, kulturën e tolerancës fetare dhe ruajtjen gjatë shekujve të traditave pozitive dokesore shqiptare.

Ky televizion  në vitin e parë të transmetimit synon ta mbulojë me prodhim vetanak 50 për qind të programit, duke bërë përpjekje në vazhdim të mëtejmë të mbulimit  dhe nga viti në vit duke e rritur shkallën e mëvetësisë.

Ideja, projekti, realizimi, ngecja…

Dy vite më parë, së bashku me Simbolin e Rezistencës Shqiptare, Adem Demaçin, ideatori i parë i TV-Diellit kemi kontaktuar selinë e Digitalbit, në Tiranë dhe  kemi biseduar me drejtorin, Alban Jaho, për projektin e TV-Diellit, një medium elektronik jo dobiprurës, asokohe në themelim. Financimin e këtij projekti e kishin marrë  përsipër, z. Adem Demaçi dhe tre të burgosur politikë të Kosovës, me mjetet që kanë marrë si zhdëmtim për vitet e kaluara nëpër burgjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë. Duke qenë një medium me përmbajtje kombëtare, pa shfrytëzim dhe afishim të reklamave, duke u përcaktuar për një politikë redaktuese informative, arsimore dhe edukative, larg çdo animi politik, apo  pleksjeje të klaneve të interesit, drejtori i Digitalbit, Alban Jaho na kishte premtuar transmetimin falas, në platformën programore të kësaj kompanie.

Ndërkohë, një vit më vonë, kur po bënim përgatitjet e fundit për fillim të transmetimit, veprimtari, Adem Demaçi ishte sëmurë dhe familja e tij u tërhoq nga projekti, duke tërhequr madje edhe pajisjet,  që ai kishte blerë për TV-Diellin.

Lidhur me këtë ndryshim të papritur kemi njoftuar Digitalbin duke pyetur se a vlen premtimi për vazhdimin e projektit, pavarësisht ndërrimit të pronarit  dhe kemi marrë përgjigje  pozitive përmes një shkrese.

Qysh në maj të këtij viti, kemi bërë përgatitjet e fundit për fillimin e transmetimit, duke aktivizuar edhe një staf gazetarësh dhe duke pritur nga dita në ditë fillimin e transmetimit. Dy muaj kohë i mori IPKO deri në rregullimin e sinjalit, duke mos caktuar paraprakisht një afat.

Ndërkohë kemi filluar  transmetimin eksperimental  intern.

Pas një kohe jemi lajmëruar nga Digitalb se jemi në monitorim teknik e programor, deri sa të kompletohet programi ditor 24 orë, por pa një vendim definitiv, pa caktuar paraprakisht një datë kur mund të fillojë transmetimi, dhe a mund të transmetohet fare programi ynë në Digitalb.

Jemi në kërkim të mirëkuptimit për kyçje në ndonjë platformë aktive  të kanaleve televizive, me qëllim që sa më parë të fillojë transmetimi i programeve të TV-Diellit.